Ditën e mërkurë në Tetovë ndodhi diçka e mrekullueshme dhe e pa parë më herët në qytet. Nën organizimin e Macedonia Cap Project u ndërtua mozaiku me 50.000 kapakë të plastikës të grumbulluar nga qytetarët për të ndihmuar personat me nevoja të veçanta.
Për organizimin u prononcua edhe koordinatori i këtij projekti për Maqedoni, Gëzim Qahili, i cili tha: “Doli diçka e madhe dhe e bukur! E menduam që të bëjmë diçka të veçantë pasi qyteti duhet të na njohë më mire dhe t’i ndihmojë misionit tonë. Ne shfaqëm dashurinë dhe kujdesin ndaj personave me nevoja të kufizuara dhe gjithashtu e tregojmë në vepër bashkimin e qytetarëve për të ndryshuar gjërat dhe botëkuptimet për këtë kategori njerëzish. Apeloj deri te qytetarët që të vazhdojnë të sjellin kapakët e mbledhur dhe gjithashtu të vazhdojnë grumbullimin e kapakëve. Kjo punë nuk bëhet për interes, por bëhet në emër të mirësisë dhe solidarizimit”.
Këtë organizim e vizitoi edhe kryetarja e Komunës së Tetovës e cila tha: “Ne e kemi mirëpritur si iniciativë dhe me të vërtetë jemi bashkëngjitur në mënyrë shumë intensive, për arsye se e konsiderojmë se është një aktivizëm qytetar shumë pozitiv, efektin e ka edhe ekologjik në një mënyrë që janë politikat e komunës tonë, por edhe humanitar për shkak se qëllimi i fundit i krejt aktivitetit është te mundësia për fëmijët me ngadalësim në zhvillim dhe për fëmijët me hendikep”.
Përveç Komunës së Tetovës, ky aktivitet u vizitua edhe nga Albafone, Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe u ndihmua nga Art Decor. Fëmijët e shkollave dhe qytetarët e vizitonin punën dhe bënin fotografi me këtë mozaik, që ishte i rrallë për Tetovën.
Gjithashtu nga Macedonia Cap Project falënderojnë aktivistët që ndihmuan dhe apelojnë se do të vazhdojnë me aktivitetin e tyre dhe janë duke përgatitur edhe surpriza tjera për Tetovën, por edhe presin angazhim më të madh nga qytetarët për të mbledhur kapakë.
Përndryshe Macedonia Cap Project është nismë humanitare, por edhe ekologjike, pasi kapakët e plastikës të grumbulluar nga qytetarët i dërgon në riciklim në Turqi dhe në këmbim merr karroca për personat me probleme në lëvizje. Projekti ka filluar që të implementohet në Tetovë nga viti 2012 dhe tani është prezent në shumë qytete të Maqedonisë.
Foto: